Ortodonci. Ortodoncia është ajo degë e stomatologjisë që merret me studimin dhe korrigjimin e anomalive të formimit, zhvillimit dhe pozicionimit të dhëmbëve dhe nofullave, të cilat cojne në keqkafshim dhe perkeqësimin e funksionit mastikator të organit të gojës, sigurisht pa neglizhuar aspektin estetik të dhëmbëve dhe profilit facial. Qëllimi i terapisë ortodontike është të prevenojë, të eliminojë dhe përmirësojë të gjitha anomalitë, në mënyrë që të përfitojmë një rreshtim të duhur të dhëmbëve, kafshim korrekt, struktura harmonike të nofullave dhe muskulaturës së gojës për të pasur një zhvillim sa më të mirë të mundshëm. Studimet tregojnë që nevoja për ortodonci lind që në fazën e dhëmbëve të qumështit në moshë të hershme të fëmijës për të parandaluar problemin sa më herët të jetë e mundur. Është ortodoncia interceptive,ajo që cilësohet dhe si faza e parë, ajo që korrigjon të gjitha pengesat e muskulaturës orale dhe periorale, të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e nofullave dhe arkatave dentare në vitet pasardhëse. Ortodoncia fikse, e cilësuar si faza e dytë, mund të realizohet në të gjitha moshat dhe konsiston në korrigjimin e defekteve dhe kafshimit, rrjeshtimin e duhur të dhëmbëve dhe përmirësimin e harmonisë faciale, me anë të forcave biomekanike të cilat realizohen nëpërmjet teknikave të ndryshme të përcaktuara nga bashkëpunimi i mjekut ortodont dhe pacientit.